Përmbyllet projekti “NaturKosovo”, Kosova lidhet me Alpet Dinarike

Përmbyllet projekti “NaturKosovo”, Kosova lidhet me Alpet Dinarike

Në kthjelltësinë e maleve dhe perlën e trashëgimisë së natyrës shqiptare, u mbajt të enjten konferenca përmbyllëse e projektit “NaturKosovo”.

Në fshatin turistik Belle, i cili gjendet në veriperëndim të Deçanit, u mblodhën përfaqësues të institucioneve vendore, organizatave partnere dhe komuniteti i alpinistëve për të prezantuar arritjet e projektit.

Projekti “NaturKosovo”- kryeqyteti natyror dhe kulturor në Kosovë dhe zhvillimi i qëndrueshëm turistik i Via Dinarica, ka zgjatur 36 muaj dhe është një iniciativë me rëndësi të madhe për zhvillimin turistik që lidh malet tona me rrjetin ndërkombëtar të Alpeve Dinarike.

Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm në turizmin e qëndrueshëm dhe fushat e gjelbra, tha ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.

“E ardhmja e Kosovës nuk është diku tjetër, është këtu në këto male. Në klasa, në qendrat e inovacionit, në bizneset start up. Italia do të vazhdojë që të mbështes Kosovën në projekte të cilat hapën dyert që gjithashtu fuqizon institucionet dhe krijon mundësi. Gjenerata mund të jetë prosperuese për një Kosovë evropiane, pa pasur nevojë të ikni nga ky vend”, ka thënë diplomati italian.

Me pasuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore po pasurohet oferta turistike, tha ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Me 63 për qind të territorit të mbuluar nga malet, ajo shtoi se po fitohen edhe njohje nga tregje të ndryshme ndërkombëtare.

“Kosova po shënon rritje të vazhdueshme të vizitorëve dhe qëndrimeve gjatë natës, deri në vitin 2024 me një rritje shtesë në vitin 2025, veçanërisht gjatë sezonit të verës. Numri i vizitorëve është dyfishuar që nga viti 2019 dhe vazhdon të rritet kryesisht nga turistët ndërkombëtarë. E në këtë rast dua të ju njoftojë se nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë, përveç që hartuam dhe finalizuam strategjinë e turizmit dhe një ligj të rëndësishëm për turizmin, i harmonizuar plotësisht me direktivat e Bashkimit Evropian, duke siguruar standarde të larta të sigurisë, cilësisë dhe mbrojtje të konsumatorit, ne tani kemi arritur që Kosovën ta përfshijmë edhe në planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.

Me një buxhet prej 1.8 milionë euro, ky projekt ka restauruar dhe shënuar shtigjet duke mbështetur bizneset turistike në Pejë, Deçan e Junik dhe ka ndërtuar kapacitete vendore, duke forcuar shërbimet e kërkim-shpëtimit, po ashtu ka promovuar pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse të të rinjve dhe grave.

Ky projekt 36 mujor u financua nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Kosovë.

Falë këtij bashkëpunimi, shërbimi i kërkim-shpëtimit të Kosovës është bërë një pikë referente në rajon, ka thënë udhëheqësja e përkohshme e Zyrës së AICS Tiranë, Letizia Fischioni.

“Një projekt që jo vetëm që ka forcuar turizmin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen mjedisore, mirëpo edhe ka ndërtuar disa lidhje të qëndrueshme mes institucioneve, partnerëve dhe njerëzve…. (19:30) Falë këtij bashkëpunimi, shërbimi i kërkim-shpëtimit të Kosovës është bërë një pikë referente në rajon deri në atë pikë sa që tani thirret për të ofruar asistencë edhe në Shqipëri, pra përtej kufijve. Kjo arritje e jashtëzakonshme mbetet si një prej rezultateve më të arritshme të partneritetit”, tha ajo.

Para tri vjetësh, Shoqata e Bjeshkatarisë të Kosovës nuk ishte as pjesë e Unionit të Shoqatave të Bjeshkëtarisë.

Arianit Nikçi, i cili është president i Federatës së Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës, ka thënë se ky projekt ka sjellë përfitime të jashtëzakonshme.

“Trajnimet profesionale të organizuara për ekipet tona kanë rritur nivelin e përgatitjes teknike, kanë përmirësuar aftësinë tonë për reagimin në situata emergjente dhe kanë forcuar kulturën e sigurisë në komunitetin malor. Sot Kosova ka ekipe të kërkim-shpëtimit më të përgatitur, më profesionale dhe të afta për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe vizitorëve në malet tona. Një rezultat që përbën një nga vlerat më të rëndësishme të këtij projekti. Sot shërbimi për kërkim-shpëtim malor është anëtar me të drejta të plota në Shoqatën Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit Malor”, ka thënë ai.

Të pranishëm në konferencën që shënoi përmbylljen e projektit “NaturKosovo” kanë qenë edhe kryetari i Pejës dhe Junikut.

Të dy ata u zotuan që prioritet do të jetë mirëmbajtja e shtegut.

“Duke marrë parasysh rëndësinë e tij, si një portë hyrëse për turistët ndërkombëtarë, dua të ju garantojë që ky shteg do të jetë prioritet absolut për mua personalisht dhe për komunën që drejtoj. Ne do të angazhohemi maksimalisht për zbatimin e plotë të detyrimeve që dalin nga ky memorandum”, ka thënë kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu.

“Të shpresojmë që të vazhdojmë bashkëpunimin edhe më tutje dhe mirëmbajtjen e këtyre shtigjeve”, tha kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Udhëheqësit e këtyre dy komunave dhe presidenti i Federatës së Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për mirëmbajtjen e shtegut “Via Dinarica”.

Por çfarë është me rëndësi dhe çka saktësisht ka paraparë projekti “NaturKosovo”?

Gruaja nga Kosova që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e alpinizmit tregon për punën e madhe që është bërë përgjatë këtyre muajve.

“Via Dinarica ka ekzistuar si shteg për shumë vjet në Ballkan dhe në Kosovë, mirëpo mund të them që ky është projekti i vetëm dhe është projekti i parë, jo pse Fondacioni UTALAYA, organizata të cilën unë e menaxhoj ka qenë pjesë e projektit, por fakti që me të vërtetë kemi punuar tepër shumë për të sjellur më në fund shtegun të kompletuar, jo vetëm të markimit të shtigjeve por edhe për ta promovuar në mediat ndërkombëtare, kemi krijuar uebfaqe, kemi bërë guidebook, kemi lansuar hartat, tash të gjitha informatat janë të hapura për të gjithë njerëzit dhe me dalë për ta eksploruar shtegun. Projekti ka ndihmuar edhe zonat lokale, ka ndihmuar shtëpitë e mikpritjes, ku nëpërmjet granteve të vogla i kemi ndihmuar këto për t’i rritur kapacitetet e tyre”, tha alpinistja Uta Ibrahimi.

Alpet Dinarike janë një vargmal që shënon thelbin e Ballkanit.

“Rëndësia e projektit ‘NaturKosovo’, apo Via Dinarica Kosovo, është i shumëanshëm dhe me benefite shumë të mëdha për Kosovën sepse e lidh, e bashkon Kosovën me shtegun e njohur Via Dinarica, i cili i bashkon shtetet e ish-Jugosllavisë, i cili është një shteg që fillon në Slloveni, në Triestë dhe përfundon në Maqedoni edhe Kosova është tashmë e ndërlidhur që do të ndikojë shumë në promovimin e turizmit në Kosovë”, ka thënë presidenti i Federatës së Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive të Kosovës.

“NaturKosovo”, është një nga nismat e shumta italiane që janë realizuar në Kosovë.

“Kjo është një ndër më të rëndësishmet, sepse ka një prezencë historike të Italisë në këtë zonë. Është baza më e madhe italiane e ushtrisë në Pejë, dhe luan një rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm për qytetërimin e Kosovës, por edhe për të sjellë mundësi dhe zhvillim në këtë zonë. Pra, kjo është në përputhje me gjithçka që qeveria italiane ka qenë duke bërë gjatë këtyre 26 viteve të fundit”, tha ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini.

Ky projekt i cili forcoi turizmin e qëndrueshëm dhe promovimin e mbrojtjes së mjedisit nuk përfundon me kaq.

“Do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në këtë sektor specifik, në sektorin e mjedisit dhe në sektorin e turizmit të qëndrueshëm me një projekt tjetër, që momentalisht është në fazën e marrjes, e quajtur “Sharr Dinarica”. Ai projekt do jetë në malet Sharr, pra do të ekzekutohet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pra ky është një angazhim i ri nga Italia nga Korporata për Zhvillim, duke përkrahur turizmin e qëndrueshëm dhe mjedisin në Via Dinarica, sidomos në Kosovë”, tha Fischioni.

Projekti i radhës në Malet e Sharrit po mirëpritet edhe nga institucionet vendore.

“Ministria e Industrisë tash e mirëpret edhe fazën e dytë të projektit në Malet e Sharrit dhe ka planifikim që përmes agjencisë ‘Kiesa’ ta përkrah me bashkëfinancim përkrahjen e bizneseve që janë ndërmarrje të vogla, të mesme në fushën e turizmit, ka për qëllim që të përkrah edhe konferencat që janë për promovim të turizmit”, përfundoi ajo.

Projekti “NaturKosovo” u zbatua nga organizata italiane dhe kosovare, si Volontari nel Mondo RTM dhe CELIM, me mbështetjen teknike të Fondacionit UTALAYA, Klubit Alpin Italian, Trupave Kombëtare Italiane të Shpëtimit dhe Speleologjisë Alpine dhe Shoqatës Italiane për Turizmin e Përgjegjshëm.

# Lajme
# Biznes
# Turizëm
# Sport
# Video
# Kulturë